Besa Myftiu: Burrat nuk martohen me gratë që duan

Ai, mund të quhet edhe romani i dashurisë, i dashurisë së vërtetë, i asaj të pamundurës, që nuk jetohet e që shijohet vetëm për pak kohë: aq kohë, sa të mësosh dhe të dish gjithë jetën se çfarë është lumturia e vërtetë që nuk mund ta kesh. Tri gra, tri histori, tri dashuri dhe shumë rrëfime që struken në epokën komuniste, mes ndalimesh, frike, ligjesh, spiunimesh. Tri histori që tregohen holleve të një aeroporti, ndërsa avionë ikin e vijnë, duke bartur në trupin e tyre njerëz të lumtur e të palumtur, që herë i drejtohen e herë i ikin dashurisë. Pas tyre, qëndron një grua, e imët, elegante, me sy të kaltër e të qelqtë, një grua e qetë, që përcjell sërish, mes dhimbjes, një shpresë të madhe. Është Besa Myftiu.

“Unë as nuk e kuptoja përse mamaja donte të martohej! Ndoshta për t’ia bërë qejfin gjyshes, që i thoshte: ‘A fole me të? Po qe se është serioze puna, le të vijë të të kërkojë në shtëpi. Përndryshe, të shkojë në djall! Ata që duan një femër, e marrin për grua’.   Nuk ishte fare e vërtetë, madje mund të thuhej krejt e kundërta. Kam parë kaq njerëz në jetën time, që duan dikë dhe martohen me një tjetër. Bëhet fjalë për një teoremë të pashkruar: burrat martohen me ato gra që u përshtaten dhe jo me ato që duan”, – shkëpusim këto radhë nga romani i saj “Dashuri në kohën e komunizmit”.

Anila, Diana dhe Monda, tri zonjat e romanit, risjellin kujtimet e tyre, duke dhënë për lexuesin e sotëm, një panoramë që gjithsesi duket e largët.

“Te ne, perëndimi i diellit është i menjëhershëm dhe brutal, ashtu si degradimi i dashurisë. Në Veri, edhe drita, edhe dashuria vdesin ngadalë. Në Shqipërinë komuniste dashurinë e vrisnim, e thernim me thikë, e asgjësonim. Sapo të kishte hedhur çapat e parë, e ekzekutonim me të gjitha mjetet”.

Përmes atyre grave, Besa prek tabutë e kohës: lidhjet jashtë martese, lidhjet me diferencë moshe, incestin dhe lidhjet me të dënuar politikë, ose njerëz “të prekur politikisht”. Mendimet e përcjella janë të shumëllojshme. Nëse një grua-nënë thotë se të gjithë meshkujt janë derra, dhe kanë një turi, një tjetër personazh, pohon të kundërtën. Megjithatë, Besa e pranon që gratë nuk munden assesi të jenë të lira deri në fund. “Asnjë vend nuk e ka të lehtë të pranojë një Marlene. Këtu nuk kish vend për Marlene Ditrich”, kujton ajo në një intervistë, duke shtuar se edhe në Gjermani “kishte vend vetëm për një të tillë, jo për dy”. Libri i saj “Dashuri në kohën e komunizmit” mban logon e botimeve “Dudaj”.

(Pasqyre.al)

 

 

.

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *