Andrra e jetës- Et’hem Haxhiademi

Et’hem Haxhiademi
Mars 8 ‘02 🍃 Mars 16 ‘65

Andrra e Jetës ~

Gjithnji lakmueshëm n’shijë t’jetës ende
Ti, o njeri, dhe për lumni thellohe,
Por nëpër çaste qi me gas përmende,
Vyshke prej kohe.

As plasja nuk të vlen, as madhështija,
Se bashk’ me ty ç’do gjâ e gjall do t’vdesi,
I pasun qofsh a verdhun nga urija,
Dheu do të tresi.

E pse ahere prindët i dëfreve
Kur jet’e jote nisi me ague?
Ah, porsa ti prej barkut t’nanës leve,
Krim u shkaktue!

Qëkurse u krijove ti nji herë,
Dhe vdekja mâ në fund do të coptojë,
Se edhé gjethet qi bleruen në verë,
Dimni i rrxoi.

Por ti krenohe n’botën gënjeshtare,
Dhe nuk ven mendje n’orët qi kalojnë
E me rrëmbim tyke u shdukun fare,
Jetën t’shkurtojnë.

Dhe shpresa qi në zemrën tande rritet
Tyke u ngjom me gjak, si jasemini
Do t’hapi fletët, kur do të venitet
Vaza ku bini.

Në qofsh pra i fuqishëm e me vlerë,
Me baltën e të vorfnit do të mblohesh,
Se dhe Cezari me t’mëdhenj të tjerë,
Humbën prej kohësh.

Në qofsh i vorfën e me t’ulët shkallë,
Nga grushtat e të fortit mos u tut,
Se as njeri në bot nuk mbet i gjallë,
Por n’dhé u fut.

Qëndro gjersa të marrish frymë i lirë
Dhe krenarin qi t’fali ty gjithsija,
Të mos e lshojsh tyke kërkue mëshirë
Nga plogështija.

Dikur nji mbreti n’koh’ të lashta prore
Nji skllav i thoshte se gjâ tjetër s’je,
Përveçse nji njeri me shpat mizore
Përmbi kët dhe.

Ahere veç nji andërr jeta qenka,
Qi nëpër valët e naturës breth,
Dhe kur mendohet fund’i saj nga brenga
Zemrat rrëqeth.

Po asht e kot’ njeriu me u frikumun
Prej nji ndryshimi qi do t’a pësojë,
Sikundër çdo krijesë e ka qëllumun,
Po në nji llojë.

Ç’do gja qi lind do t’vdesi, kte gjithsija
E ka si ligj t’paprekshme për gjithmonë,
Mendo, njeri, i zhytun ke lakmija
Kohën mâ vonë.

IX. I. 1935

LYRA , Haxhiademi ~ Tiranë ‘39
Shtepia Botuese Luarasi
Shtypshkronja Dielli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *