A nuk ndiheni edhe ju të vrarë?!

Nga Entela Resuli 

Sa herë ndodh një vrasje, tre ditë diskutohet për të. Studiot televizive mbushen plotë me specialistë, mjekë, psikologë, gazetarë, shkencëtarë, gjithollogë, të gjithë dalin e… flasin. Është rasti i tyre, është puna e tyre. Të gjithë bëhen të mirë, të ndjeshëm, fryjnë e shfryjnë mbi viktimën, autorin… shoqërinë, madje kërkojnë edhe falje. I kërkojnë falje të drejtpërdrejtë viktimës edhe pse nuk e kanë njohur, edhe pse nuk kanë bërë asgjë për ta ndryshuar këtë realitet.

Për tre ditë rrjeti mbushet plotë me “engjëj” dhe më pas… jeta vazhdon!

Ata (njerëzit) kthehen në hiena për njëri-tjetrin, madje, në rrjetet online, kur ka data ditëlindjesh, urojnë “suksese dhe lumturi në jetë” dhe sapo e shohin “mikun” apo “mikeshën” ta prekë atë (suksesin), nxijnë nga zilia dhe iu bie tension…!

Dhe sot flitet për vrasje…

Këtu të vrasin çdo ditë dhe ngadalë… Të vret mentaliteti dhe njerëzit rreth e rrotull, që dinë çdo hall tëndin. Të vret pamundësia për të realizuar një dëshirë apo ëndërr që ke. Pengesat që me dashje t’i vendosin në rrugëtimin tënd. Të vret politika me show-n e përditshëm, të vret shoqëria me indiferencën e saj…Të vret stresi i përditshëm dhe i vazhdueshëm për mbijetesë! Të vrasin çmimet e larta, pagat e ulëta. Të vret mungesa e sistemit të shëndetësisë. Të vret mjeku që të nxjerr diagnozë tjetër për tjetër. Të vret mungesa e ilaçeve, shtrenjtësia e tyre… Të vret ndotja e ambientit. Të vret luksi i shfrenuar diku dhe varfëria ekstreme diku tjetër.

Të vrasin analistët e përnatshëm në ekranet televizive që bëjnë si të brengosur për hallet e popullit dhe këtej kur qeshin me të madhe u shfaqet dhëmbi i floririt…

Të vret…

A nuk ndiheni edhe ju të vrarë?!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *