A mjafton të jesh vetëm artist i madh?!

Nga Jonida Hitoveizi 

Lajmi për dorëheqjen e Drejtorit të Operas dhe Baletit, Ilir Kerni mori gjithë vëmendjen mediatike të këtyre ditëve, me reagime të shumta se ikja e tij nuk ishte e drejtë dhe se në njëfarë mënyre “ai qe detyruar të largohej”.

Arsyet e “braktisjes”së detyrës nga Kerni mbeten ende të paqarta, megjithatë shumica e komenteve të bëra, kryesisht janë fokusuar tek fakti që një artist i madh, nuk duhet lënë të iki nga drejtimi i një institucioni si opera; edhe sikur ky artist i madh, në fakt të qëllojë një drejtor jo aq i mirë?!
Ky është problemi që në fakt askush nuk e prek sa herë ndodhin qoftë emërime, qoftë shkarkime, qoftë edhe dorëheqje si kjo e Ilir Kernit. Në vendin dhe në median tonë, mungojnë thuajse fare analiza të tilla apo investigime se çfarë ka ndodhur vërtetë. Kjo i ka kthyer të gjithë në tifoz dhe gjithçka në emocione personale apo mosreagim po për njohje personale. Këtu nuk i referohem vetëm rastit të Ilir Kernit, i cili është vërtetë një balerin i çmuar i yni dhe kjo është një vlerë që as nuk ia shton dhe as nuk ia heq dot, çfarëdolloj gjëje që ne mund të themi për të si drejtor. Por gjërat duhet të mësojmë t’i ndajmë.

Kerni duke renditur disa nga arritjet e tij para se largimi të bëhej publik, shkruan se puna e tij ka qenë heroike në Opera pasi mesatarish një shfaqje ka pasur buxhet prej rreth 600 eurosh. Një rekord për Guinness siç e quan ai, ndërsa minimalisht rezulton, që vetëm kostumografi dhe skenografi në një produksion në TKOB të paguhen ( ose janë paguar) të paktën 70.000  lekë të reja. Por edhe nëse kjo është e vërtetë,  përse drejtori i Operas nuk e ka ngritur zërin më herët, por ka pritur pikërisht ditën e largimit për të na treguar buxhetin e ulët me të cilin ka punuar për 3 vite. Në statusin e tij të lamtumirës Kerni fokusohet thuajse vetëm tek buxheti dhe tek artistët e famshëm shqiptarë që kanë qenë pjesë e shfaqjeve të ndryshme, të cilët për hir të së vërtetës përherë kanë ardhur duke performuar falas për publikun shqiptar, si Pirgu, si Ermonela Jaho e shumë të tjerë. Dhe kjo nuk mund të quhet një arritje e këtij institucioni nën drejtimin e tij.  

Hijet e këtij largimi shtohen edhe më pas lajmit të publikuar nga kolegët e revistës Java, se në fakt për Kernin ishte firmosur largimi nga qeveria para se ai të shpallte dorëheqjen. Po sipas burimeve, që konfirmojnë edhe për Pasqyre. al kjo ka qenë e vërtetë dhe kjo për shkak të disa shkeljeve të ndodhura në institucion gjatë drejtimit të tij. Shkelje, të cilat nëse janë të dokumentuara do të ishte mirë të bëheshin të ditura, në mënyrë që publiku, por edhe artistët të kenë një ide se çfarë ka ndodhur dhe  nëse largimi i Kernit është me të vërtetë zgjidhja më e mirë apo është një krim që po bën Ministrja e Kulturës, ndaj TKOB-it dhe ndaj aftësive drejtuese të Kernit. Dikush duhet ta sqarojë publikun, pasi është e vështirë të bazohesh vetëm mbi simpatinë ndaj Kernit si balerin i famshëm, apo të bazohesh mbi deklarime publike që vijnë më së shumti për inate ndaj ministres Kumbaro.

Nuk është hera e parë dhe duket se nuk do të jetë as e fundit për pritshmëritë e larta që ne kemi ndaj njerëzve të talentuar në fusha të caktuara, se ata mund të jenë të talentuar të bëjnë gjithçka. Dhe po ashtu është fakt, që kur kemi vendosur në krye të insittucioneve artistë gjërat kanë shkuar keq: ose ka pasur konflikte, ose janë transmetuar mëritë dhe inatet personale, ose artistët të cilët e kanë jo pak të zhvilluar egon, mendojnë se gjithçka ata bëjnë është më e mira etj. Pra kanë dështuar në rolin e të qenit menaxher të mirë. P.sh ne kemi në krye të Teatrit Kombetar një regjisor të mirë si Hervin Çuli, i cili ka qejf t’i bëjë vet të gjitha, edhe aktorin, edhe regjisorin, edhe drejtorin edhe rojen siç ndodhi vjet. Pa harruar këtu të shtojmë se drejtorët kur vijnë tërësisht nga mjedisi shqiptar  (pra jo ata që kanë jetuar jashtë) kanë dhe ca inate të vjetra, të cilat kujtohen t’i lajnë me kolegët kur kanë pak pushtet si drejtorë.
Ne jemi mësuar që shpesh të nderojmë emra vetëm për shkak të famës, por jo punën e tyre drejtuese. Askund nuk është e shkruar apo e thënë që një artist i mirë, aktor, balerin, soprano, tenor apo gazetarë etj mund të jetë po aq i talentuar sa të mirëmenaxhojë një institucion të tërë. Vetëm në Shqipëri dëgjon dhe sheh çudira të këtij lloji, të cilat nuk i kemi të pakta sidomos në fushën e artit, ku shpesh profili artistik nuk përputhet fare me profilin si drejtues. Ndoshta është koha që në krye të institucioneve si opera ose teatri të zgjidhen drejtues që vijnë nga fusha të ndryshe për të menaxhuar institucionin, ndërsa të ketë drejtues artistik të posaçëm, të cilët merren me gjithë detajet që kërkon, opera, baleti, drama apo komedia, pra ato që do skena. Ndoshta nuk duhet të kërkojmë kaq shumë nga artistët. Ndoshta duhet të mjaftohemi tu japim atë që meritojnë si profesionistë në fushat e tyre, vlerësim, mirënjohje, por jo tu vëmë përsipër barrën e të qenit drejtor, sepse kjo nuk është hera e parë që ata dështojnë apo drejtojnë keq dhe ne na mbetet veç të hamendësojmë se çfarë ka ndodhur. Dhe kur nuk dimë asgjë kthehemi tek simpatia jonë për dikë si aktor apo balerin.
Ashtu siç ndodhi edhe me dorëheqjen e Kernit, e cila duket se do të mbetet një hije e pandriçuar nga dielli i fakteve.

 

One comment

  • E nderuar “gazetare”!
    Une jam nje artist i diplomuar ne arte. Mendoj se shkrimi juaj eshte i njeanshem dhe larg misionit te gazetarit. Sipas logjikes qe ju perdorni, ath ne krye te ministrise se financave duhet te vendosim nje menaxher! Ju kujtoj se ky vend drejtohet po nga nje artist i diplomuar ne pikture. Te thuash se artistet kane ego e inate personale e gjera te tilla, eshte nje thashethem dhe paragjykim i cili e ul shkrimin ne nivele banale. Pse, ju mendoni se dhe Zhani Ciko ishte nje menaxher i dobet se ishte artist?! Po Zana Çela para tij?! E nderuar gazetare, ky vend eshte shnderruar ne nje çmendine e cila prodhon absurditete, sic eshte dhe vete shkrimi juaj. Kultura dhe Sporti jane shembelltyra e nje kombi, nese nuk investohet per ato me fonde konkrete afatgjata e me politika te forta zhvillimore, cdo gje eshte e kote dhe absurde. Lere pastaj kur ministra te ndryshem ne kohe te ndryshme u hedhim kocka (premio) here pas here dhe tundim flamurin e arritjeve personale gjate fushatave. Nese do ishin vertete nje gazetare e zonja, do ishit rropatur duke kerkuar te verteten, duke hulumtuar, duke iu bere ferre ministres se kultures apo Ilir Kernit deri sa ta zbulonit ju te verteten, por jo! Ju i beni nje fresk te lehte miqesor ministrisë me kete shkrim dhe kaq. Asgje nuk ishte personale tek kjo replike e imja, prandaj e futa ne thonjeza fjalen gazetare, sepse profesioni juaj, sot me shume se kurre lipset te kete profesionistë te vertete, misionarë, dhe njerez me guxim. Kur sheh menaxheret qe ka gazetaria sot, (pronaret e mediave) eshte per te vene duart ne koke. Kur sheh gjithashtu milionat e pashpjeguara dhe lidhjet e tyre kriminale te cilat prodhojne godina te larta qe mbijne brenda nates si ajo gjethja treshe e arave tona, keta menaxheret tane te artit me ngjajne si fakire qe ua ben hallal ndonje krim te vogel pasioni. Mbeç me shendet e nderuar “gazet-are”.

    Reply

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *