78 vitet e arta të Çelentanos

Sot, këngëtari, kompozitori, komediani, aktori dhe regjisori italian Adriano Çelentano ka ditëlindjen. 78 vitet e jetës së tij kanë qenë të arta dhe e kanë bërë atë një prej artistëve më të njohur e më të suksesshëm në mbarë botën. E përveçse artist, ai ka ditur të mbajë edhe qëndrime politike kur ka qenë nevojë, duke dhënë shembullin e intelektualit që nuk i përulet pushtetit. Është një ndër këngëtarët e paktë italianë, që ka arritur të shesë rreth 100 milionë disqe në mbarë botën, i cilësuar edhe si Elvis Presley italian.

Adriano Çelentano ka lindur më 6 janar 1938 në Milano. Prindërit e tij janë të emigruar në Milano për një jetë më të mirë. Në moshën e adoleshencës, ai nuk mundi të shkollohej, mbasi qe i detyruar të bënte punë të zakonshme. Shpesh ai ka treguar se ka qenë orëndreqës, derisa debutoi me Tony Renis në teatrin “Smeraldo”. E filloi karrierën me muzikë rock, dhe ishte kënga “Puthja jote është si një rock” që i dha atij hapat e parë drejt famës. Çelentano i kish rënë në sy ndërkaq, regjisorit të famshëm Federico Fellini, i cili e bëri atë pjesë të filmit “Dolce Vita”.

Në 30 nëntor 1960 publikohet “Furore”, albumi i dytë i Celentano. Pak javë pas daljes së këtij disku, Celentano duhej të nisej për shërbimin e detyruar ushtarak. Në shkurt të vitit 1961 Çelentano duhej të merrte pjesë në Festivalin e Sanremo, por meqë ishte ushtar, kishte nevojë për një leje speciale, që atëherë duhej të firmosej nga ministri i mbrojtjes, Giulio Andreotti. Në Festival Adriano takohet me mikun e tij të vjetër Little Tony, dhe është në duet me të kur prezanton Ventiquattromila baci (këngë që ishte shkruar nga Pietro Vivarelli dhe Lucio Fulci me muzikë të Celentano); Adriano skandalizon publikun duke i kthyer kurrizin dhe ndryshon qëndrim pasi orkestra ndryshon muzikë, por kënga e tij “Ventiquattromila baci” renditet e dyta dhe shitja e disqeve fal kësaj kënge arriti në miliona kopje. Një tjetër sukses i po këtij viti, është edhe kënga, ‘Nata per me’, ku Celentano largohet nga roku për t’iu bashkuar muzikës më melodike. Në të njëjtën kohë, në muajin maj ka fituar çmimin ‘La Stella d’Oro’, që duhej ta merrte së bashku me Claudio Villa, por pikërisht në këtë periudhë dënohet pesë ditë burg.

Adriano Celentano dhe Claudia Mori janë një nga çiftet më të pëlqyera e më jetëgjata të kinemasë italiane. U njohën në një shesh xhirimi dhe u dashuruan kur realizohej “Uno strano tipo”. Atë kohë Çelentano braktisi të fejuarën e tij Milena Cantu. Në vitin 1964 martohen fshehurazi natën, në kishën e San Francescos në Grosseto. Nga kjo martesë lindin tre fëmijë: Rosita në 1965, Giacomo 1966, Rosalinda në 1968. Nga viti 1991 Claudia Mori është administratore e deleguar e shtëpisë diskografike të familjes, Clan Celentano srl.

Në 1982 publikon një libër autobiografik me bashkëpunimin e Maria Ripa të Meana: “Parajsa është një kalë i bardhë që nuk djersin kurrë”. Celentano vazhdonte të ishte i përqendruar për të qenë gjithnjë i angazhuar me kinemanë. Realizon dy albume, “I miei americani…” dhe “I miei americani 2” ku ripropozon tekste italiane këngë ultra të famshme si Susanna, Questo veçhio pazzo mondo (Eye of distructions), Il contadino (Hold on i’m coming), Sei nel mio destino (You are my destiny) dhe shumë të tjera. Dy albumet arritën një sukses tepër të madh me rreth gjysmë milioni kopje të shitura.

Çelentano mbetet përgjithmonë një personazh kult, që ishte në gjendje të tërhiqte vëmendjen e miliona personave në ‘diskutimet’ e tij televizive, ku kurrë nuk arriti të hiqte dorë nga roli i tij të predikuesit. ( Përgatiti Marta Kolli)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *