Politika virtuale dhe denigrimi i (Malenës-Ermirës)

Nga Mira Tuci

“Gratë janë motori i Historive” – kështu më rrëfente regjisori i famshëm Italian GiuseppeTornatore në të vetmin udhëtim të tij të bërë në Shqipëri disa kohë më parë.
Këto ditë teksa ndiqja korin e korbave lëshuar mbi brishtësinë e një gruaje nuk mund të mos kujtoja skena të ndryshme nga filmi i Tornatores “Malena” jo aq për bukurinë dhe hiret e aktores së bukur Monika Bellucci se sa për mizorinë me të cilën turma i turret ta zhveshë prej kësaj bukurie. Sepse të jesh e bukur dhe e hirshme aq më keq edhe kurajoze dhe e zgjuar, është mëkat i madh në shoqëri ballkanike po aq sa në Sicilinë e pas-luftës se dytë botërore. Ermira Mehmeti është Malena që fshati ynë i uritur seksualisht ka vendosur të linçojë virtualisht, t’ia presë flokët dhe t’ia shqyeje petkat, t’ia shëmtojë trupin dhe baltosë personalitetin dhe karrierën.
Përgjimi i momenteve intime nuk është gjë e re në përdorimin si shantazh politik por uria me të cilën hidhen këto materiale dhe mënyra si reagon turma para kockës që i është hedhur bëjnë diferencën e madhe me shoqëritë e emancipuara. Ermira Mehmeti nuk është një aktore e famshme si Monika Bellucci as nuk ka zgjedhur të luajë me skupe aktoriale sepse prej kohësh është pozicionuar si një politikane e profilizuar qartë, me një përgatitje akademike në nivelet më të larta dhe performancë parlamentare të dukshme dhe që herë pas here ka bërë lajm edhe në Shqipërinë territoriale. E sa për kurajo politike ajo ka dëshmuar se është shumë më e guximshme se dhjetëra politikanë burra (shqiptarë apo të etnive tëtjera brenda shtetit maqedon) të cilët dinë ti bëjnë chapeau shefit të radhës dhe të ngrohin karriget në pritje të kockës “tenderit” që do t’u hidhet si vakt, mjaft të rreshtohen atje ku duhet dhe të mbyllin gojën para aferave që përfshijnë çështje jetike për shtetin e brishtë maqedonas,afera të mëdha korruptive, trafiqe interesash, përgjime dhe shantazhe me baza etnike dhe deri në eleminime fizike, etj etj.
Përtej hireve femërore me personazhin në filmin e Tornatores, ngjashmëritë e fenomenit Malena janë në kufijtë e një përsëritjeje kinematografike….vetëm se agora reale e një fshati siçilian është transformuar në agorën virtuale të portaleve….dhe për klikime kalohet nga admirimi dhe lakmimi mashkullor kur ajo (Ermira-Malena) kalon dhe bota ndalet e deri tek ndërsimi i ligësisë femërore veshur në petka të zeza dhe dhëmbë të rëna që shqyen flokë dhe shëmton sepse nuk e duron dot të bukurën dhe të pastrën pasi nuk e arrin dot.
Portale kinse me emra shqiptarë që bien në kurthin e qarqeve të caktuara, të ashtuquajtur shqiptarë që e bëjnë copash një bijë të tyren pse ka guxuar të jetë grua që përdor zërin e saj apo edhe epshet e saj në një moment intim (gjithmonë nëse, pasi audio incizimi me shumë gjasa është një farsë e fabrikuar në zyrat e shërbimit sekret maqedonas) i njohur për “pistoleta” nën tavolinë si mjet shantazhi.
Mos harroni ju që rrihni gjoksin për shqiptari dhe vlera të larta të familjes shqiptare, strukturat e shërbimeve sekrete të shtetit fqinj jua njohin mirë psikikën shqiptarëve të Maqedonisë të cilët vuajnë shtrëngimin e madh moral nga një anë për shkak të tabuve me karakter fetar dhe nga ana tjetër shthurjen që vjen po si pasojë e këtij shtrëngimi kinse moral. Ndaj u zgjodh Ermira si Malena që duhet ta rrihni publikisht dhe të shfryni kështu gjithë urinë,mungesat dhe frustrimet seksuale, sepse një grua pak e denjë nuk është e rrëzikshme për pushtetin, ndërsa një grua e lexuar dhe e hirshme ia trand themelet pushtetit të ngritur mbi vrasje, mashtrime dhe komplote gjithfarësh.
Uria me të cilën konsumohet një Pseudolajm i tillë dhe sigurisht edhe shpata e moralit që “patriarkët e kombit” marrin në dorë dhe e vërtisin njëanshëm mbi kokën e bukur të Ermirës dhe jo njëlloj mbi të supozuarin bashkëfajtor në krim duke e larë mashkullin sic thoshin gjyshet tona “me një bisht luge” janë hipokrizia e radhës e cila dhëmb po aq sa fshikullimet publike që i bëheshin Malenës pse kishte guxuar të jetonte dhe mbijetonte kur bashkëshorti dhe të gjithë i kishin kthyer shpinën.
Edhe atyre që kapin megafonin në gjithë këtë tym që është ngritur dhe akuzojnë për feminizëm të shtirur ju them djelmosha rrituni, mësoni të respektoni gruan si qenie njerëzore, mos e shihni atë si një numër më shumë në kuota gjinore, mjaft e përdorët si ajo që bën brumin dhe shumicën e punës në redaksitë tuaja dhe meshkujve ju shtrohen dafinat e meritave para këmbëve.
Ata që pëshpërisin ndërsa Malena kalon, e në këtë rast Malena nuk është vetëm Ermira por cd ofemër e kultivuar, e zonja dhe e hirshme që e refuzon sistemin, dhe i kundërvihet atij (një sistem themeluar nga babëzia e meshkujve dhe drejtuar prej tyre) do vijojnë të jenë të njëjtët hipokritë që do buzëqeshin lakmueshëm kur ajo të kalojë dhe të ketë ulur kokën në shënjë nënshtrimi.
Unë i them kësaj Malene-Ermirë, mos e ul kokën, mos ndrysho, ji e bukur dhe ngrije zërin për të bërë vendin tënd në shoqëri që Malena të tjera të mos dekurajohen.
Dhe që të mos më rreshtojnë te feministet sepse nuk jam pjese e asnjë NGO të tillë nëse vërtet doni t’i kërkoni llogari Ermirës, kërkojani për ato që thotë dhe bën në Kuvendin Maqedonas jo për ato që supozohet se pëshpërit në shtrat apo në makinë. Sapo e vërteta të zbardhet dhe kjo me shumë gjasa do të ndodhë shpejt në favor të së vërtetës si një mashtrim audio i pashoq, prapë se prapë një mesazh e kam për shqiptarët e gjinisë mashkullore, rrituni në mendje dhe kuptojeni se “Gratë, janë motori i historisë” pa to nuk mund të ketë histori dhe sa më parë të kuptoni qe energjitë femërore janë të pakompromentueshme aq më përpara do të bëjmë ne si komb dhe nuk do lejojmë që nderi dhe dinjiteti të na nëpërkëmben.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *