“Si gazi i hysmeqarit”!

2015-04-21 21.13.41Nga Jonida Hitoveizi

Është një kohë kur çdokush mund të bëjë opinion publik, mund të tallet, mund të shpikë dhe mund të merret seriozisht nga webet online të mediave të shkruara e elektronike më prestigjoze në vend.

Kjo nuk është një çudi e re, por është një nga ato çudi që ditë për ditë po merr përmasa të pazakonta.

Lajme që botohen në rubrika satirike, vetëm kur ia behin nëpër lloj-lloj faqesh si deklarata të vërteta.

Kjo tejkalon çdo kufi, pasi na çon drejt çastit që ne do të bëjmë si lajm kryesor në faqet tona batutat e Protokallisë, të Apartamentit 2XL apo të emisioneve të tjera humoristike në vend.

Media jonë sot, e lodhur, e mbushur me punonjës që nuk shohin më asgjë, por thjesht postojnë, ka arritur pikën e fundit, atë të vdekjes së madhe, që s’ka Feniks ta rilindë më, ose do t’i nevojitet ndonjë ndihmë titanësh.

Personalisht, nuk mund të them se nuk u habita pamasë, kur sytë më panë një titull gjigand, tek kategoria “kryesore”, se themeluesi i Facebook, Mark Zuckerberg në një letërkëmbim me një shqiptar të thjeshtë kish pranuar lidhjet e tij me shqiptarët dhe i kishte zbuluar atij posaçërisht amanetet e gjyshes për këtë komb .

Lajmin, të cilit nuk i lexova detajet veç titujve “bombastikë”, e pashë të postuar në mediat më të njohura në vend dhe qeshë gati duke e besuar, kur sajuesi i saj na kish shpjeguar gjithçka. Madje ai kishte vënë plot elementë tallës në letër si p.sh që  gjyshja e Zuckerberg kishte udhëtuar me makinë në vitin 1853 nëpër Shkup, Prizren e Pejë. Gjithashtu në letër, Marku i thoshte Hajdar K Shtimës, që shqiptarët duhet të ndalonin duke u marrë në Facebook me politikë e debate bosh. Por qershia mbi tortë ishte që Mark po pranonte se babai i tij kishte ardhur në jetë falë magjisë që Hajdar Shtimja i kishte bërë gjyshes së tij për të mbetur me barrë.

Pasi  ky version ( dëshmia e Hajdarit) doli në shesh, shumë nga mediat kryesore që botuan lajmin, i cili me siguri u çoi shumë klikime e fshinë atë. Asnjëra prej tyre nuk i kërkoi falje publikut, asnjëra prej tyre nuk bëri një sqarim, siç ndodhte dikur në shtypin e shkruar kur botohej ndonjë pasaktësi apo lajm i pakonfirmuar. Sot kjo nuk ndodh më. Prej turpit apo mungesës së profesionalizmit, apo ndoshta prej lehtësisë, se webi nuk “lë gjurmë”. Sigurisht nuk botuan as shkrimin e dytë të Hajdarit, që sqaronte sesi ishte frymëzuar për këtë lajm tallës dhe sa qe habitur për famën e menjëhershme.

Kjo tallje që media i bën së pari vetes, imazhit të saj si organ i besueshëm informacioni e pastaj publikut, duhet të nisë të korrigjohet dhe të marrë fund sa më shpejtë. Ndoshta pronarët e mediave online në Shqipëri, kryeredaktorët e tyre, veç klikimeve duhet të nisin të mendojnë për gazetarinë që ushqejnë si të ishin sërish në shkollë. Kështu siç jemi, rrezikojmë të gjithë të bëhemi gazi i botës, ai “gaz” që do të shënonte vdekjen e gazetarisë si profesion dhe të mediave, grahmat e fundit të së cilës të gjithë bëjmë sikur nuk i dëgjojmë. Nëse do të vijojmë të bëjmë sikur ajo ndodh nuk na përket, do qeshim ca kohë me njëri-tjetrin, por do të jetë siç thotë populli, si “gazi i hysmeqarit”.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *