Një “dhuratë” e vonuar për Kadarenë!

ISRAEL-ALBANIA-LITERATURE-NOBEL-KADAREPër shumë vite shqiptarët në gjithë botën janë krenuar me jehonën e veprave të shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare. Pavarësisht çjerrjeve poshtë e lartë për emrin e tij, dielli nuk mbulohet dot me shoshë, ashtu si vepra e Kadaresë në fakt, që qëndron sot mes emrave të shkrimtarëve më të mëdhenjë botërorë.
Pavarësisht kësaj, mënyra sesi shteti shqiptar është sjellë me Kadarenë, nuk i përgjigjet e ndoshta as nuk i afrohet, asaj, çfarë ky gjeni i letrave i ka dhënë Shqipërisë, imazhit të shqiptarëve në botën perëndimore, kulturës sonë në tërësi.
Pas kaq e kaq vitesh më në fund shteti shqiptar u bë mbarë e po i kthen dinjitetin shtëpisë së shkrimtarit në Gjirokastër.
Shtëpia do të jetë gati si muze në 80 vjetorin e lindjes së Kadaresë, pasi i mbijetoi edhe një djegie 16 vite më parë.
Restaurimi i saj ka kaluar në një epope të gjatë debatesh e mundimesh, thua se po ndërtohej busti i ndonjë tradhtari a armiku klase.
Restaurimi i saj nisi fillimisht në 2009-ën,  por u bllokua në vitin 2011, për shkak të pronësisë me banesën pranë saj, e njohur si shtëpia e Kako Pinos.
Më vonë, pas katër viteve falë një fondi të UNESCO rifilloi puna për restaurimin dhe kthimin e saj në muze.
Ky kalvar i gjatë, i mundimshëm, si guri që Sizifi duhet të ngjiste në majë të malit, merr fund më 28 janar 2016, kur shtëpia muze e Kadaresë do të hapet për publikun.

Iniciativa e Ministrisë sonë të Kulturës është për t’u vlerësuar dhe padyshim është dinjitoze puna dhe promovimi që po bëhet, vetëm se kjo “dhuratë”, ky nderim nga vendi i tij për Kadarenë është thjesht i vonuar (fatmirësisht jo i harruar).
Kjo ndoshta, sepse të gjithë ministrat e mëparshëm të kulturës e kanë pasur mendjen në vepra të tjera, përshembull: si ndihmohet neglizhenc ndaj çdo objekti trashëgimie që ka mbijetuar dhe si mund ata thjesht të humbasin çdo vlerë që ua ka ruajtur historia e koha.
Megjithatë Kadare duhet të ndihet i lumtur sot, qoftë për arsyen e thjeshtë që të paktën, sytë e tij nuk panë degradimin e plotë të shtëpisë së  lindjes, siç ka ndodhur me shumë e shumë monumente të tjera. Dhe ne duhet t’i jemi mirënjohës UNESCO për këtë financim, pasi nëse do të kishte mbetur në duart e këtij shteti që s’po del nga tranzicioni, ndoshta do të ishte bërë gati për 80 vjetorin e ndonjërës prej vajzave të Kadaresë!

Redaksionale

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *