Kur mbetet vetëm seksi për të shitur!

Jonida Hitoveizi
Tashmë janë kthyer në një fenomen lajmet për personazhe të panjohur që krejt papritur po pushtojnë faqet e shtypit dhe të mediave online. Këtë garë, që “guximshëm” e hapi një e vetëshpallur këngëtare me historinë e saj qesharake me deputetin e palestruar, e vijuan me të njëjtin pathos personazhe të tjerë po kaq të panjohur për publikun e gjerë dhe atë publik që konsumon përditë media. 
Duhet thënë se këta personazhe, i fundit një mashkull e kanë ngritur stekën goxha lart. Ata janë marrë vetëm me deputetë, pasi sipas tyre kjo të lakon ca kohë emrin në media dhe në fakt këtu nuk kanë gabuar. Tani janë bërë goxha personazhe, pikërisht sepse kanë pretenduar netë të zjarrta me ligjëvënës meshkuj e femra. Media e ka ngrënë “karremin” e tyre, ndërsa ata kanë përfituar ç’kanë mundur nga gjithë ky publicitet. Edhe pse në fakt si personazhet ashtu dhe mediat kanë zbatuar të njëjtin parim, shesim pak seks se bëhemi të famshëm dhe sepse do kemi bum klikimesh.
Por nuk dua të ndalem tek fakti se, sa të tillë do dalin dhe do marrin famë duke lakuar tani e tutje deputetë partish të ndryshme. Ajo që më shqetëson  është sjellja e medias ndaj këtyre personazheve. E para, mediat pa asnjë dëshirë për të ditur të vërtetën, jo vetëm ua botojnë budallallëqet si apriori të qena, por nuk kanë asnjë interes të zbulojnë nëse bëhet fjalë vërtetë për afera seksuale apo jo.  Në vende të tjera kjo do t’i bënte gropën çdo ligjëvënësi, por këtu ka një problem tjetër; askush nuk përmend emra. Po ashtu një thellim mbi historinë do i nxirrte personazhet e mësipërm si abuzues dhe mashtrues për famë dhe s’do i ulnim më në studio televizionesh prestigjoze apo më keq akoma, t’i vëmë në krye të aksioneve të ndryshme politike apo sociale.
E dyta dhe më e rënda është se këto lajme tregojnë shumë, jo vetëm për nivelin e atyre që i prodhojnë, por edhe për ata që i shesin, mbi të gjitha për mënyrën sesi nxirren në treg.
Kjo tregon se veç seksit, nuk ka mbetur asgjë tjetër për tu shitur në këtë shoqëri dhe kjo është thjesht shumë banale për të merituar kaq shumë xixa. Me pak fjalë kemi prekur pikën zero sa i takon moralit dhe etikës profesionale, duke qenë se këta personazhe, gazetarët tani i quajnë artistë, teksa e vërteta është se në fakt këta mund të kenë lidhje edhe me NASA-n, veç me artin jo. 
Dihet që seksi, si mënyra e vetme e përfitimit ka mbajtur gjallë profesionin më të vjetër në botë, por dhe ky profesion ka pasur njëherë e një kohë dinjitetin e vet. 
Këtë që po shohim poshtë e lartë ngado ku hap ndonjë web informimi s’di më dhe çfarë ta quash, veçse, se përtej kësaj s’ka mbetur më asgjë që mund ta quajmë as morale as profesionale. Pra thënë shkurt këtu bëhesh i famshëm kur tregon që ke fjetur me dikë dhe mediat e shesin këtë nga ana e tyre si gjë tepër të jashtëzakonshme dhe me vlera të mëdha informuese. Kaq na ka mbetur për të shitur!
Shënim: Mediat e huaja në kësi rastesh, nëse personazhet nuk thonë emrin e politikanit që pretendojnë aferë dhe të japin ndonjë foto apo fakte mbi historinë , thjesht nuk e shohin veten në gazetë

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *