Asgjë e re ose romantizmi bajat nga Nexhmije Hoxha!

2015-04-21 21.13.41Nga Jonida Hitoveizi
Intervista e Rudina Xhungës me gruan e diktatorit Enver Hoxha zgjoi kureshtje të madhe, mbi të gjitha sepse ishte lajmëruar si e fundit e jetës së saj, të cilën Zoti e di kur do ia sosë. Dhe kur dikush thotë fjalët e fundit në jetën e tij, presupozohet të paktën të rrëfejë ndonjë gjë që do të mbahet mend apo do të përbëjë lajm. Ajo që pritej nga Nexhmija, ajo që të paktën unë dhe ndoshta shumë të tjerë prisnin ishte një intervistë me pyetje që do jepnin të paktën një përgjigje për atë që disa shqiptarëve ende u dhemb, apo atyre si puna ime që janë kuriozë.
A është penduar kjo grua për krimet që ka bekuar, për dramat që ka shkaktuar?
A ndjen ajo në fund të jetës pendimin se pavarësisht gjithçkaje e çdo rrethane  ka bërë gabime?
Se në fund të jetës njeriu kërkon ndjesë?
A i ka ardhur ndonjëherë keq për shoqet që janë pushkatuar në emër të Partisë? Për kë i ka ardhur keq?
A sheh ëndërra e makthe natën Nexhmije Hoxha?
A ka në shpirtin e saj ndonjë copëz që rënkon për krimet, për paradokset e kohës që ndërtoi duke qenë gruaja e një diktatori?  E merr malli për Fiqirete Shehun?
Po Shekspiri i pëlqen, Makbethi? Di gjë Nexhmija për ca varre poetësh që s’po gjenden ende? A ka frikë nga vdekja ajo? Ka frikë nga një gjyq në atë botë?
Çi thotë në ëndrra Enveri?
Kisha pritur ndonjë pyetje të tillë, por nuk e dëgjova askund. Nuk e di si ka qenë marrëveshja për këtë intervistë lamtumire, por di të them se ishte fundi i fundit të një interviste me një personazh si gruaja e diktatorit më të egër që njohu Evropa. Asgjë njerëzore nuk kishte në këtë intervistë, që duhet të ishte veç e tillë. Askund nuk u pyet zonja Hoxha për gjëra që nuk ka dashur të pyetet.
Romantizmi bajat i një plake që ashtu siç ka rrobat e zeza në trup, duket se ka dhe ftohtësinë në shpirt për krimet e bëra, nuk mallëngjeu askënd, veç ndonjë neverie të kuptueshme tek publiku.
Pakujt i intereson si u dashurua Nexhmija, e si e bëri grua Enveri. Këto janë intervista që ecin në faqet rozë, si ato me personazhet e shoubizit, që ndonjëherë na e nxjerrin “pushtetin” lakuriq.
Ia kuptoj ndoshta edhe sikletin gazetares Xhunga, me aq vite eksperiencë, por nuk kuptoj dot pyetjet e munguara. Të paktën një: A i vinte keq në fund të jetës kësaj gruaje?!
Ndryshe gjithë ajo zhurmë publicitare mbetet veç një flluskë sapuni, që nesër do të harrohet nga lajmi i radhës, i cili do të zgjasë më shumë se jehona e zonjës Hoxha, e cila s’na tha asgjë. Asgjë të re nga diktatura Hoxha!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *