Intervista/ Genti Deçka: Refuzoj të besoj se të varfërit nuk kanë asnjë shpresë

Genti Deçka në shfaqjen “Mallkimi i Fukarenjve” luan rolin e Ueslit, djali i një familjeje të varfër, me një baba të alkoolizuar, të zhytyr në borxhe, i cili shpreson se fati i familjes së tij, pavarësisht gjithçkaje, mund të ndryshojë.

Uesli është një idealist, por atë e mposht “mallkimi i fukarait” dhe në fund, ai vesh rrobat e të atit, flet si ai, sillet si ai, përfundon si ai. Aktori Deçka duke folur për rolin e tij në intervistën Pasqyre.al, tregon se për tu futur brenda rolit, nuk i duhej shumë imagjinatë, pasi mjerimin e sheh çdo ditë kur del nga shtëpia.

Genti së fundmi je pjesë e shfaqjes “Mallkimi i Fukarenjve”, sa i vështirë ishte për ty ky rol?

Më kanë pyetur shumë gazetarë për të njëjtën gjë edhe nuk dua që të ripërsëris të njëjtën përgjigje, duke treguar vështirësitë përkatëse…por mendoj që çdo lloj roli nga ai më i vogli deri tek roli kryesor nuk mund të jetë një rol i mirë pa u derdhur mjaftueshëm djersë edhe mund për ta realizuar. Çdo rol kur të jepet paraqet një sfidë ndryshe për aktorin, i cili padiskutim fillon të zgjojë në vetëvete strategjitë që do të ndjekë për të arritur rolin.

Ti je personazhi që përpiqesh të ndryshosh gjithçka, por që në fund “vesh rrobat e tët eti”. Beson vërtetë se ky është fati i personazheve që luftojnë varfërinë?

Nuk mendoj që fati i personazhit tim është pjesë e fatalitetit që ndjek çdo të varfër në përpjekje për të mbijetuar, sado që në pjesën më të madhe ndodh… Unë refuzoj të besoj që familjet në nevojë nuk kanë asnjë shpresë dhe se nuk do t’ia dalin dot kurrë. Rasti i familjes Tejt nuk bën përjashtim nga fati në përgjithësi, por as nuk përcakton fundin e çdo të varfëri. Në fund të fundit, arti nuk i jep zgjidhje problemeve, por vetëm ngre pyetje , në mënyrë që të zgjojë nga gjumi probleme që heshtin nën lëkurën tonë.

Janë bërë komente të shumta për lakuriqësinë tënde në skenë, ti vet e pate problem?

Nuk jam plotësisht i informuar në lidhje me komentet mbi këtë temë, por mendoj se çdo lloj elementi, i cili mund të paragjykohet si “jashtë normales” duhet detyrimisht që të gjykohet si pjesë e shfaqjes në tërësi dhe jo vetëm si një element. Une personalisht nuk e pata problem përveç herës së parë, pasi kur je në transin e shfaqjes dhe në rrethanat e personazhit…nuk është se turpi apo sikleti ka më vend në botën e një aktori.

Mendon se personazhi yt duhet të kishte një fund tjetër?

Jo, veprat më të mira janë ato të cilat fatet e personazheve nuk përcaktohen nga logjika e ftohtë dhe racionale e autorit, por nga vetë personazhet e veprës. Kur Tolstoin e pyetën përse e vrave Ana Kareninën , ai u shpreh se :- nuk e vrava unë, ajo zgjodhi vetë të vriste veten.

Kjo është një vepër universale dhe shumë afër realitetit shqiptar. Ky fakt të ndihmoi në futjen brenda rolit apo ishte më e vështirë?

Mendoj se të qenit afër një realiteti të tillë është shumë më e thjeshtë për një aktor. Mua nuk më duhet shumë imagjinatë për të kuptuar këtë mjerim, pasi e shoh çdo ditë sapo hap derën e shtëpisë.

Beson se një aktor i mirë mund të vesh lëkurën e çdo personazhi, apo duhet të rrijë tek çfarë i shkon më shumë karakterit të tij?

Besoj se ajo që të bën një aktor të mirë, është aftësia për tu shndërruar nga një rol në tjetrin.

Si ishte bashkëpunimi me Yllka Mujon?

Në fakt është bashkëpunimi i dytë që kam me Yllka Mujon. i pari ishte në veprën udhëtimi i gjatë drejt natës me regjisor “Spiro Duni”. Është padiskutim një fat edhe nder për mua qe pata mundësinë të luaj për së dyti me një artiste të këtyre përmasave si “Yllka Mujo”.

Si një aktor i ri, si e sheh teatrin shqiptar, për ç’frymë mendon se ka nevojë?

Ka ardhur koha që eksperimentim…dhe për të shkuar në limitet e aktrimit dhe të regjisurës./Pasqyre.al

genti

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *