Bar-kafe në muret 2000-vjeçare dhe të vërtetat pas tij!

 

Në çastin e parë, kur pamë foton më lart, irritimi qe i jashtëzakonshëm. Për më tepër që firma që ka realizuar këtë lokal, shkruante (pra krenohej) në këtë mënyrë: Bar-coffee, Wine-bar … Durrës. Interior design. Projektim zbatim nga X-Plan studio. Muri ekzistues është 2000- vjeçar nga rrënojat e lashta të Durrësit (më tepër nga historia e mësoni nëpërmjet grafikave dhe elementëve që janë vendosur në formë dizajni në pjesë të ndryshme të interierit) një pjesë e madhe e elementeve akitektonike janë dizenjuar nga x-planstudio dhe janë realizuar në mënyrë artizanale…”. Nuk dihej ku ishte, në cilën zonë të Durrësit, pse ishte bërë, kush e kishte dhënë lejen, dhe pse projektuesi krenohej si me një arritje të madhe. Por, irritimi ynë nuk qe i vetmi. Jo! Më herët ishin irrituar të tjerë. Më herët, dikush i kishte shkruar projektuesve: “Mirë ju që jeni skandaloz! Mburreni me një mur 2000-vjeçar që e keni masakruar dhe për më tepër keni shkelur edhe ligjin. Por më shumë më habisin këto deri tani 540 njerëz që e paskan bëre like. Shpresoj që numri i likeve mos të rritet më shumë. Muri që thua ti 2000-vjeçar është porta hyrëse e rrugës Egnatia dhe ta mbulosh me perde dhe me beton, nuk është gjë e mirë. Nuk keni faj vetëm ju për këtë. Të mburresh pastaj ju bën njësoj fajtorë, si gjithë talebanët e tjerë, që kanë dhënë kontribut për të shkatërruar Durrësin si dhe gjithë Shqipërinë”.

Por, përgjigja e projektuesve ka qenë interesante dhe ka zbuluar të vërteta më të mëdha: që Durrësi është kështu anë e kënd, por që po anë e kënd, çdo gjurmë e këtij qytetërimi, është varrosur shumë thellë nëpër themele, pa lënë asnjë cep, qoshe a gur në dritë, duke bërë të duket se nuk kanë ekzistuar kurrë. “Ky muri ka një pallat 12 kat të ndërtuar përsipër dhe nuk e ka vrarë mendjen kush…. Muri që i ‘murosur’ në beton dhe në themelet e pallatit. Kjo është arsyeja pse mburremi, se e sollëm përsëri në jetë dhe nuk e lamë të vdiste siç kanë vdekur të gjitha gjërat këtu tek ne. Mos kujto se je më i ndjeshëm se ne në këtë pikë”, shkruan projektuesi. Ka të drejtë që kanë vdekur shumë gjëra tek ne, “tek në Durrës” e tek ne në tërë Shqipërinë. Raste si ky(ku muri i vjetër ruhet in situ), janë të shumtë në Itali, ndonëse muret mund të mos jenë 2000-vjeçare. (Doemos Italia ka ruajtur objektet e saj më të vlerta dhe nr këtë krahasim nuk po vlerësojmë rastin konkret kur trashëgimia varroset 12 pash nën dhé). Në Itali, ka edhe një kat të nëndheshëm të ruajtur të plotë poshtë një hoteli, ashtu siç ishte në kohët kur funksiononte si qilar. Në çastin kur mbi këto muret tona shqiptare ngrihet një 12-katësh, mbase duhet të ngushëllohemi me pak metra prej tyre, që dikujt, sadopak mund ti thonë se aty qenë gjurmët e Via Egnatias. Raste si ky, Durrësi ka plot. Ashtu siç nuk ka asnjë njeri të jetë vënē para drejtësisë për këto bëma. Asnjë për be. Ndaj nuk dihet se ku do u ndalet hapi a nëse do u ndalet ndonjëherë! Durrësi e ka varrosur trashëgiminë. E ka flijuar Rozafën! (En.Ho.pasqyre.al)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *