Doktor Gjilpëra vendos të japë me qera shtëpinë e stërgjyshit

Ma chère madame Kumbaro!
Fort e nderuara zonjë e Kulturës, zonja ministre. Kam ndjekur më vëmendje këto ditë, nismën tuaj për dhënien me qera të monumenteve të kulturës të vendit tonë. Kam parë që edhe ju kanë kritikuar, sepse shembujt që ka Shqipëria deri më tani lënë shumë për të dëshiruar, se biznesmenët në këtë vënt i kanë zaptuar ato kala që kanë marrë, madje (qofshin thashetheme) më thonë se ndonjë syresh nuk pranon dhe të japë qeranë. Ata të Forumit(jo romakut) po këtij albanais ju kanë bërë vërejtje se nuk kini qenë transparente (dhe më habitën se media më e suksesshme e guvernës mban ëmërin e ndritur transparenca.al). Mbasi i pashë këto dhe qëndrimin tuaj stoik para forumsave dhe opozitsave, mendova se kish mbërritur çasti fatlum tu shkruaja. Ju kini dhënë tërë ato argumente, pse nisma juaj vlen, e para se jemi shtet i varfër e nuk kemi këllqe për këto punë dhe e dyta se kështu e ka dhe Avropa.
Unë ju shkruaj se kam një shtëpi të stërgjyshit tim, që dua ta jap me qera. Meqënëse ka tërë ato elementë e stile të fundit të 700-ës e fillimit të 800-ës, dhe është pra, si t’u thom një objekt me vlerë, unë tregohem i gatshëm t’ia vë në dispozicion shtetit dhe tu jap besimin tim të patundur që ju mund të bëni zgjedhjen e duhur. Ju këshilloj që në ata 10 biznesmenë shqiptarë (se vetëm kaq kini) që i kanë paratë e pastra, pra jo të bëra pis,të zgjidhni më të mirin; ose nga ato 10 fondacione (se kaq mund të gjeni) me fonde të përvitshme e fondacione reale jo fantazmë, gjeni ndonjë nga këto të Sorosit që nuk mbyllet pas katër vitesh. Ju lutem, duke besuar në kulturën tuaj të thellë, që u qëndron larg telenovelave, thashethemeve e këtyre dallavereve alla shqiptare, do dëshiroja që këtë shtëpi të stërgjyshit tim të nderuar, një biznesmen i moteve të hershme, ta marrë një njeri i shkolluar. Kur thom i shkolluar, të ketë një shkollë shteti, jo nga këto universitetet kërpudhë; të marrë vesh nga artet e nga kultura, që mos ta bëjë shtëpinë time mejhane. I kam zët zabërhanët dhe duke qenë se kam njëfare ideje sesi janë parelinjtë shqiptarë të pasuruar matanë detit brenda vitit, që shkrimin e këndimin e kanë mësuar nëpër telefona, kam fort frikë se edhe ju vetë do ta kini të vështirë. Ju këshilloj të kini kujdes, se ju kërkoni të flisni me penë po ata flasin me kobure e me ‘nder familje’.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *