Doktor Gjilpëra rikthehet në atdhe

Që prej vitit 1924 kur Faik bej më vuri në qendër të një përralle ka kaluar një kohë e gjatë.

Mbasi më thanë se mësimet e mia s’kishin zënë vend ndë njerëz thashë të vij edhe një herë tjatër.

Erdha në dhjetor se më kishin thënë se i pari i vendit, ai rilindasi ish bërë i famshëm në tërë botnë me ekspozitat e tij e me këtë rast thashë ta shoh se ç’kish bërë në Shqipëri. (Për fat të keq  mu çfaq atdheu si një “vepër” që nuk kish brenda as art, as bukuri, as shije, as estetik. Njëlloj si ta kishe shkarravitur dreqi mu duk).

Mendova se më kishin lënë sytë kur pashë Durrësin. S’kishin lënë gjurmë të qytetit te vjetër.  Shtëpitë kishin mbirë kuturu pa plan e pa stil. Shumë syresh kishin hedhur vetëm katin e parë, ndërsa në vend të të dytit ngrinin krye ca tela e ca kolona betoni të shëmtuara. Po si o vëllezër gati një shekull pasi krijonjësi im më shpuri mua në këtë tokë për herë të parë nuk kini bërë ndonjë përparim?

Amfiteatri antik ish rrethuar nga ndërtime që në këto anë u thonë vila, po kot e kanë se vilat kanë tjatër bukuri e unë aty bukuri nuk pashë. Kodra e mbretit kish marrë rrugën për në det, prej rrëshqitjeve të dheut e prej prerjes së pemëve.

I trishtuar sa më s’ka, mora udhnë për Tiranë me një taksi që sa më pa të kollarisur më rropi, më duket se qëlloi taksisti i kreut të bashkisë së Durrësit që herë pas here i shërbente edhe atij artistit, ndaj unë ia vura në dukje vërejtjet e mia për ç’më kishin zënë sytë. Megjithëse ai e di se rrethohet nga turkoshakë.

Durrës-Tiranë tani bëhej shumë shpejt. Veçse kam parë aq plehra ndë rrugë, aq pluhur e aq rrëmujë sa u habita. Më thanë që kryerilindësi e kish krahasuar këtë vend me Kandaharin, e i dhashë të drejtë. (As rregull, as pastërti, as ujë ndërsa drita herë kishte e herë nuk kishte.  Njerëz të palarë, të pakrehur e të parruar shisnin zarzavate e fruta në cep te rrugës) Më thanë edhe se ai kish premtuar që do bënte ndryshime po prej dy vitesh veç bridhte nga një cep i botës në tjatrin. U thashë se ai ka shkuar ( jo vetëm për ekspozita, por edhe që) të marrë shembull në Paris, Stamboll, Kinë, Hong Kong, Berlin, Mynih, Jeruzalem e së fund fundmi në SHBA por s’më besonte njeri.

Desha të dinja se kush është Ministri Salemboza i Shqipërisë së sotme, po më thanë se tani nuk e merr vesh i pari të dytin, por po deshe të jesh mirë më thanë, shko andej nga zyrat e LSI, se ajo është gjithnjë në pushtet, pavarësisht se kush i fiton zgjedhjet.

Ju e dini që mua nuk ma ka ënda për rryshfete, e se e kam zët korrupsionin, aq më tepër që tani nuk ka më një Kamorrë e as një Salembozë, e unë nuk mund të falem gjithandej.

Mbasi vizitova muze, galeri e teatro, u ligështova se më ngjanë me institucione periferie për nga mirëmbajtja. Unë në Avropë kam parë aq shumë art sa edhe galeritë e koleksionistëve e teatrot e qyteteve të vogla janë më të mbajtur. Fati e desh, që ato ditë që  erdha unë të mbahej një festival, ai i këngës së lehtë shqiptare në televizionin shtetëror. U gëzova se do njihesha me muzikë të mirë, por natnë e parë në skenë duall një tip me maskë që i thoshin Seri, a diçka e tillë. Ai filloi të fliste me ca fjalë te ndyra që nuk i shkojnë sërës sime: një njeriu të shkolluar në Perterburg  e Upsala. Megjithëse unë u kam zët turqizmat më shpëtoi një “medet”.

Natnë e dytë ishte njëri qe prezantonte në skenë, një thinjosh qe natnë e parë kish bërë kinse batuta me atë djalin Seri, nga ato batutat që iu shkojnë për shtat atyre që s’kanë ç’bëjnë tërë ditën e Perëndisë e rrinë nëpër kafene si ajo e Erzenit që veja unë njëherë e një kohë, po jo një skene festivali.

Natnë e tretë, ky thinjoshi, i ndau shqiptarët në myslimanë e të krishterë dhe e fika fare televizorin. Ç’te shihja, mua më pëlqen humori i inglezit jo këto paçavuret, e njerëzit si ndaj sipas fesë po sipas idesë.

Po shoh që në postet kyçe në këtë vend i kanë njerëz dogmatikë si Dr.Emrullahu e Dr.Protogoras Dhalla dhe,  po shoh që këto poste i kanë marrë se janë miq me ministrat Salembozë. Mu kujtua që herën e parë kur erdha më thanë se s’vjen njeri per qejf në Shqipëri, kur mund të shkojë kohën e tij në kafeshantanet me famë të Avropës. Të drejtë kanë. Unë erdha e do rri këtej se në mos asgjë, klima shqiptare i bën mirë shëndetit. Në më kërkoshin mend do tu jap, në më kërkoshin këshillë do tu jap, veçse mendimet e mia do i them me zë të lartë. Do flas herë hapur, e herë tërthorazi siç di unë. Mua as më blejne e as më shesin dot.

I Juaji, i drejti dhe i pacensuruari Dr.Gjilpëra

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *