Doktor Gjilpëra i shkruan drejtorit të teatrit

received_10154029592592044Fort i dashur e fort i nderuar hirësia juaj drejtor i Theatros Kombëtar!

Së pari deshnja tu uroj për detyrën tuaj. E di që është fort vonë për këtë urim, por siç mund t’ua kenë thënë, e nëse jo po ua them unë, sapo jam kthyer e nuk e dinja se ishit bërë drejtor.

Ju mund të më keni lexuar sipas përshkrimeve të Faik Beut, ashtu si unë ju kam lexuar herët, nëpër media. Keni qenë një zë kritik. Mbaj mënt debatet tuaja të hershme e të ndryshme. Çfarë intelektuali i angazhuar që keni qenë!!! Ju kini kritikuar shumëçka në këtë vend që e ka marrë lumi, ministra e kryeministra. Keni qenë edhe fort i hidhur.  

Në fillim ju mbaj ment që u morët me çashtjen e biletave të teatrit. Më vonë, mësova se keni qenë komisioner në zgjedhje (punë fort e vështirë që do shumë art);

Pastaj ju me trimëri konkuruat për detyrën e drejtorit(kush munt ta mbante mbi shpatulla këtë punë të rëndë);

Më vonë, ju ndihmuat një regjisor të vinte në skenë një çfaqje (Askush se kish ndihmuar më parë z.Kumbaro);

Që çfaqja të shkonte mirë, ju morët përsipër një rol (kush munt ta bënte më mirë se ju, kush mundtte vallë ta interpretonte Zhan Pol Maratin si ju),

Më pas një regjisore vuri në skenë “Liri në Bremen” pa marrë parasysh kërkesat tuaja dhe ju i treguat vendin (si mundej ajo të thyente urdhrat tuaja, ku merr vesh ajo nga Parisi ç’do populli heroik i baltrave të Tiranës);

Këtë vit, ju, e rënduat fort veten drejtor, kur ndërkohë që kryenit këtë detyrë të lartë, morët ndë duar edhe regjinë e Çehovit, duke sjellë depresionin rus në theatro;

E si të mos mjaftonte kjo, ju: drejtor e regjisor i çfaqjes, i bëtë sytë katër, dhe bëtë edhe rojen, duke kapur në flagrancë një gazetar që rrinte anës skenës e bënte çrak-çrak fotografi artistëve!

Ç’tu them tjatër, ju jeni hero. Nuk e latë me aq, zbritët nga llozha në holl dhe i kërkuat me aq mirësjellje të largohej derisa doli! Ju përunjem me respekt. Ju, jeni imazhi i artit shqiptar: luftarak, udhëheqës, drejtues, gjithnjë në vijën e parë, largpamës e i gatshëm ti vini shpatullat situatës.

I uroj përzemërisht eprorët tuaj për zgjedhjen e bërë.

I juaji, i drejti dhe i pacensuruari, Doktor Gjilpëra 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *